Pse po zhduket historia e Tiranës


Tirana deri para disa vitesh nuk kishte turistë. Përveç njerëzve të biznesit që vinin për punë, tek -tuk ndonjë bloger apo gazetar që vinte për të përshkruar Shqipërinë në përgjithësi, dhe që qëndronte disa orë kalimthi në Tiranë. Një qytet pa atraksione tipike, shumë pak histori për të treguar, një qytet shumë i ndryshueshëm, aq sa vetë tiranasit e vjetër nuk kujtojnë më asnjë vend të dikurshëm ku ata kanë kaluar fëmijërinë e tyre. Ndoshta vetëm Mali i Dajtit nuk ka lëvizur nga vendi  Nuk diskutohet që disa ndryshime janë për mirë. Qyteti ka filluar te ketë një pamje moderne, për t'i hequr zymtësinë e dikurshme. Rimëkëmbja e sheshit Skënderbej dhe shumë atraksione të tjera të hapura, si Pazari i ri, Bunkartet dhe Muzeu i Gjetheve i kanë dhënë nje tjeter dimension Tiranës. Por të ndërtosh mjedise moderne, nuk do të thotë të shkatërrosh ato historike.

Pjesa historike është shembur dhe vazhdon të shembet në mënyrë konsistente. Do ishte bukur që në ato plane që bëhen për Tiranën, të kishim të ndara zonat moderne nga ato historike, zonat ilire, mesjetare dhe komuniste, të gjitha me historinë e tyre për t'ua treguar të huajve. Shumë turistë inteligjentë janë të dhënë pas historisë dhe jo pas ndërtesave moderne, aq më tepër në një vend si Shqipëria, që pikën e saj më të fortë ka historinë e saj. Kerkësat që turistet bëjnë tek Visit Tirana, portali turistik i kryeqytetit, janë nga më të çuditshmet. Ne vazhdojmë të ofrojmë gjithë atraksionet e reja, përpiqemi të promovojmë disa destinacione natyrore jashtë Tiranës që gjithashtu po zbulohen si kurrë më parë. Por kërkesat e tyre janë të tjera. Ata duan të vizitojnë kryesisht ndërtesat komuniste, vilat e vjetra, zona industrialet të dikurshme. Janë te etur për histori.

Por ç’tu tregojmë? Përvec muzeut kombetar, dy Bunkarteve dhe Muzeut të Gjetheve, s'ka mbetur asgje tjeter.
Ne u themi që ndertesa e pare në Tiranë është mozaiku por kur shkon atje sheh se vila e vogël është e pluhurosur, e lënë jashtë gjithë itenrerareve si diçka pa vlerë në mes të një lagjeje të populluar.  Duam t'i çojmë në rrënojat e kalave të tjera, si Persqopi apo kalaja e Dajtit ku sigurisht nuk ka asnjë histori, asnjë tabelë, dhe janë thjesht gure pa kuptim. Bota njeh projekte që i rinderton kalatë ashtu sic ato kanë qenë, duke thënë që kjo është pjesa historike dhe kjo e rindërtuar sipas modelit të dikurshem... Rishkruhet historia, vendoset në tabela të posaçme, rregullohet rruga dhe ndriçohet e më pas angazhohet komuniteti rreth e qark të ofrojë pak traditë, agroturizëm, artizanat etj. Turisti njeh historinë dhe merr pak shijen e zonës, sigurisht duke lënë dhe disa të ardhura aty në ndihmë të komunitetit. 
 
Një tjetër ndërtesë që ka humbur çdo kuptim është Kalaja e Tiranës në zemër të qytetit, e cila është e pavizitueshme. Veç portës së jashtme, s'ka asgjë për të parë e histori për të treguar.  Kjo zonë është mbushur me lloj lloj ndërtimesh moderne, ndërkohë që mund të ishte e gjitha një atraksion më vete historik që të tregonte të shkuarën. Kalaja thonë se është ilire por kjo nuk i intereson askujt, aq më tepër pushtetarëve, se nëse do shpallej zonë e tillë e mbrojtur duhet të rrafshohehin kullat dhe bizneset përqark. E megjithatë jo vetëm që nuk ka askush ndërmend të largojë kullat nga kjo zonë historike, por për ironi ato po shtohen. Pas zhdukjes së çdo gjurme ilire, duket se po zhduken dhe gjurmët e pjesës tjetër më interesante qe ne kemi, që është turizmi i errët i diktaturës. Nuk është interesante për ne pasi ne kemi vuajtur në atë regjim, por të huajt janë kuriozë për këtë pjese historie. Pallati i Kulturës, Muzeu historik, Teatri Kombëtar, Teatri i Kukullave, Galeria e shumë ndertesa, i përkasin erës komuniste, për të cilat sot ka shumë interes. Por një pjese e tyre po degradon, madje ka plane për ti prishur.

Ne kemi histori, por të padokumentuar. Para disa ditësh risollëm për lexuesit e Tiranës, historinë për 98 vjetorin e Tiranës kryeqytet dhe njerëzit pyesin cila është godina e parë e qeverisë kur u zhvendos në Tiranë pas vendimit të kongresit të Lushnjës? Përse ajo godine të mos ishte muze sot?
Shkruajtëm dhe për historinë 90 vjetorit të radio Tiranës.. Pyetja e parë që na erdhi ishte ku është kjo godina e vjetër e radios? Ajo në fakt nuk është prishur, ndodhet në gjendje të mjeruar te rruga Kont Urani. Por a mund të bëhet muze dhe të tregojë historinë radiofonike të dikurshme?

Turistët pyesin për të vizituar vilat e diktatorëve, të cilat nuk janë të hapura. Duan të vizitojnë kombinatet e dikurshme të cilat janë kthyer në shtëpi banimi. Fakti që Tirana është qytet vetëm 400 vjecar, tashmë është ngulitur mirë ne Wikipedia dhe në mendjen e shumë historianëve. Por kjo është e pavërtetë. Tirana nuk ka si të ketë nisur jetën në kohën e ndërtimit të xhamisë së Ethem Beut, përderisa mozaiku i Tiranës, apo gjurmët antike në rrethinat e Tiranës si në Shpellën e Pëllumbasit, Mali e Dajtit, janë vertetuar që i përkasin periudhave shumë më te hershme. Historia e Tiranës jo vetëm duhet rishkruar, por i duhet thënë stop çdo lloj dëmtimi të asaj pak kulture dhe trashëgimie që ka mbetur... Tirana ka pasuri të jashtëzakonshme për të treguar, thjesht na duhet një solidaritet mes drejtuesve të këtij vendi dhe qytetarëve për të ruajtur këtë trashëgimi. 

Comments