Ka ardhur koha që kryeministri i vendit, te i cili patëm kaq shumë shpresa pas largimit të Sali Berishës, të bëjë vertet diçka të mirë për këtë vend, që historia të mos e gjykojë për keq. T'i japë mundësi krijimit të një qeverie teknicienësh, me njerëzit më të mirë të mbetur në këtë vend, në secilin sektor të qeverisjes. Nuk është e vështirë të identifikohen, se kanë mbetur kaq pak. Duhen njerëz që nuk vijnë për t'u pasuruar, që e kanë profesionin dhe ekonominë personale të rregulluar dhe të kenë dëshirën për të punuar sëriozisht në të mirë të këtij vendi, profesorë e teknicienë të nderuar të cilët të udhëheqin reforma bazuar në një diskutim të gjerë me grupet e interesit dhe me përfaqësuesit e popullit.
Aktualisht Shqipëria është në udhëkryq. Nga njëra anë njerëz të pakënaqur, të varfëruar dhe të zhvatur, dhe nga ana tjetër një kastë politikanësh majtas djathtas, të gjithë të korruptuar dhe pa kredibilitet. Që vendi të mos zhytet në një luftë civile, që vendi të mos mbetet pa qeveri, që të mos varim sërish shpresat te PD apo LSI, krejt të papërshtatshëm për të qeverisur, Rama mund ta shpëtojë ndryshe këtë vend: të krijojë një qeveri ekspertësh. Ndërrimi i sotshëm i qeverisë duke hequr më të korruptuarit dhe duke vënë njerëz të rinj, pa përvojë dhe ndoshta pa dëshirë për t'u bërë ministra, është absolutisht shumë i keq dhe pa vlerë. Në kabinete qeveritare kur janë ndërruar ministra në këto situata, nëpunësit hallakaten, punët ndalen dhe letrat humbasin. Ministrat ndryshohen, por qeverisja futet në amulli për muaj të tërë. Ministri i ri sa të mësojë çfarë bëhet, thuhet në këto mjedise, i duhen të paktën 6 muaj të kuptojë prioritetet kryesore, e gjatë këtyre 6 muajve, hijenat poshtë bëjnë kërdinë dhe e bjerrin më shumë sistemin qeverisës.Rama duhet urgjent të thërrasë njerëzit më të shquar të këtij vendi, ata ndoshta të papërfshirë në parti politike deri më sot, njerëz që kanë një platformë se si duhet bërë puna në arsim, bujqësi etj, dhe mbi të gjitha të kenë një pasion për të bërë punë të mira, duke marrë drejtimin e ministrive respektive. Nuk mund të vendosësh në diplomaci një çunak, kur në kancelaritë diplomatike të botës sheh njerëz me thinja e spaleta, me dekada në këtë profesion. Dhe jo vetëm ministrat, por dhe stafet e tyre duhet të jenë të gjithë teknicienë të fushave të caktuara dhe njerëz që e kanë pasion këtë punë. Militantët përfundimisht duhet të dalin të gjithë jashtë nga qeverisja. Nuk qeveriset një komb me njerëz që meritë të vetme kanë aktivitetet në fushata elektorale. Revolucionin e bëjnë trimat, qeverisjen të mençurit.
Ka ardhur koha që kryeministri të mos mendojë për zgjedhjet e ardhshme, por për të shpëtuar vendin, dhe për ti dhënë një mundësi brezave të rinj të mos e braktisin më Shqipërinë. Për t'i dhënë një mundësi Shqipërisë që të marrë veten dhe të shpejtojë në hapat e fqinjëve për t'u integruar në BE. Për t'i dhënë një mundësi shqiptarëve të ndihen mirë dhe të shërbyer nga shteti i tyre. Për t'u dhënë mundësi vërtet të ndihen krenarë që janë shqiptarë.
Comments
Post a Comment