Duhej
 një ngjarje si ndeshja Serbi-Shqipëri në Beograd që shqiptarët të 
ngrinin një pyetje: Përse kur e vërteta është kaq e dukshme, Serbia 
besohet më lehtë ndërkombëtarisht? Përse shumë institucione europiane e 
personalitete në BE dhe në botë mbajnë anën e Serbisë?
Por,
 kaq e dukshme ishte dhe masakra e Reçakut dhe gjithë krimet e serbëve 
në kohën e luftës si në Bosnjë e Kosovë dy dekada më parë. E, 
megjithatë, bota i harroi shpejt dhe Serbia sot konsiderohet si një 
shtet që po përparon në rrugën europiane me shpejtësi, pa qenë nevoja të
 kërkojë falje për asgjë.
Përgjigjja e gjithë 
këtyre pyetjeve është e thjeshtë. Serbia ka një makineri diplomatike të 
jashtëzakonshme, një lobim të fuqishëm që ne shqiptarët as e kemi dhe 
kushedi se kur do të jemi në gjendje ta krijojmë. Serbia di të lobojë, 
di të futet në gjithë institucionet ndërkombëtare dhe madje të ketë 
pozicione drejtuese.
Që pas luftës me Kosovën, për 
të rregulluar imazhin e vet të dëmtuar, politika e jashtme serbe ka 
shpërndarë një lumë diplomatësh në organizatat shumëpalëshe, të 
mirëpërgatitur, me gjuhë të huaja, të cilët, prej vitesh, nuk ndërrohen 
dhe kanë krijuar rrjetet e tyre të ndikimit kudo. Ndërsa diplomacia jonë
 ka qenë prej vitesh si një oaz për të strehuar miqtë e politikanëve të 
radhës, që ndërroheshin aq shpesh, sa askush s’i mbante mend, e jo më të
 ngrinin zërin e tyre në institucionet europiane.
Po
 jap një shembull ku unë kam qenë vetë dëshmitare. Në Këshillin e 
Europës, aty ku diskutohen çdo ditë të drejtat e njeriut, Serbia ka 
arritur të zërë një vend të jashtëzakonshëm. Jo më kot, Serbia lufton që
 të ketë prezencë të madhe në këtë këshill, për të mbuluar krimet kundër
 të drejtave të njeriut që ajo vetë ka kryer vite më parë. Aktualisht, 
në KiE ka një numër shumë të madh zyrtarësh serbë që punojnë me kohë të 
plotë, madje një miku im atje thoshte se thuajse në çdo zyrë e gjen një 
serb. Asistentja e sekretarit të përgjithshëm Jagland është serbe. Në 
çdo komitet e nënkomitet, kryetarë apo nënkryetarë janë serbët. Në 
komitetin e medias, ku dhe unë kam pasur fatin të merrja pjesë në kohën 
kur punoja në MPJ, që herën e parë kur u ndodha aty, kur s’njihja 
asnjeri dhe s’dija çfarë ishte diskutuar më parë (pasi askush nuk më la 
një dosje të të gjithë dokumenteve që do të diskutoheshin apo ishin 
diskutuar), po votohej për krerët e komitetit (Steering Committee on 
Media and Information Society of the Council of Europe). Më dhanë 
përpara vetëm një alternativë për zgjedhjen e nënkryetares që ishte Maja
 Rakoviç. Pa diskutim ishte një vajzë e zgjuar, dhe shumë popullore, 
pasi ishte anëtare e këtij komiteti që nga viti 2008. Propozimi ishte 
bërë nga Rusia dhe mbështetur nga shumë shtete të tjera sllave dhe 
askush nuk e diskutonte më. Dhe pa diskutim, Maja u zgjodh. Dhe unë 
votova për të. Ajo vazhdon të kryesojë dhe të përfaqësojë në çdo takim 
tjetër ndërkombëtar Komitetin e Mediave të KiE. Nuk mungon edhe pse 
aktualisht mban një tjetër post, atë të këshilltares së parë në 
ambasadën serbe në Paris. (Nuk doja ta personalizoja, por si rasti i 
Majës mund të ketë shumë).
Po Shqipëria si 
përfaqësohet? Në mënyrë të turpshme. Shqipëria i kishte ndërruar shumë 
shpesh përfaqësuesit e saj dhe askush nuk kishte arritur të zgjidhej 
qoftë dhe në ndonjë nënkomitet ku diskutoheshin rekomandime të 
rëndësishme të KiE. Unë pata mundësinë të shkoja në 4 takime të tilla. 
Më pas, me sa shoh në faqen e këtij komiteti të KiE-s, nuk ka shkuar 
askush. 
(http://www.coe.int/t/dghl/standardsetting/media/CDMSI/default_en.asp)
Kjo
 është në miniaturë ajo çka unë përjetova kur isha pjesë e diplomacisë 
sonë, një pozitë inferioriteti dhe krejt të papërgatitur krahasuar me 
fuqinë e diplomacisë serbe. Si mund të bëjmë zërin tonë të dëgjohet, kur
 s’jemi gjëkund të përfaqësuar? Më thoni një shqiptar që mund të ketë 
arritur poste të tilla të larta në organizmat ndërkombëtare (siç ishte 
dhe Vuk Jeremiç deri ca kohë më parë president i Asamblesë së 
Përgjithshme të OKB-së).
Kështu
 që fajin duhet ta kërkojmë në fund të fundit te politika jonë e 
deritanishme, te diplomacia jonë inferiore dhe e paaftë e deritanishme, 
te mungesa e lidhjeve dhe lobit të fuqishëm, që do të hynin në lojë në 
momente të vështira si tani, kur Shqipëria nuk mund të mbrohet vetëm
Comments
Post a Comment