Kur populli 'tejkalon' qeverinë

Mosbesimi i publikut ndaj qeverisë dhe klasës politike shqiptare duket se ka arritur kulmin. Nuk është bërë ndonjë sondazh së fundi për ta matur këtë besueshmëri, por mjaft të ndjekësh brenda një dite të vetme reagimet e qytetarëve, që nga emisionet e mëngjesit (ato pak emisione ku hyn zëri i qytetarit) dhe në vazhdim, lumin e komenteve që vërshojnë pas çdo lajmi që vjen nga Qeveria apo pas çdo deklarate politike në portalet e lajmeve, e deri në mbrëmje tek komentet e shikuesve mbi pyetjet e ngritura në emisionet tona politike. Nuk është e vështirë të kuptosh qe ‘gazetaria qytetare’ (citizen journalism) tashmë e ka tejkaluar median profesionale (me disa perjashtime), ka tejkaluar edhe qeverinë me reagimet që shpërthejnë direkt pas një vendimi apo reforme të re.

Absolutisht për ketë mosbesim publik jane bërë shkak zhvillimet e fundit, ku deputetët jane shpallur kriminelë dhe po përfundojnë në burg, kur dhjetra zyrtare janë detyruar të largohen nga administrata shtetërore si njerëz të dënuar me parë, kur institucionet ndërkombëtare apo ambasadat publikojnë lista apo raporte me emra të zyrtarëve të dënuar, kur akuzat vershojnë nga të gjitha anët, për vrasje, korrupsion, rryshfete në nivel të lartë, pastrim parash, trafik droge etj etj.

Tashmë është krijuar bindja se të gjitha përpjekjet për të jetuar me nder e dinjitet, me punë e djersë në këtë vend, janë të kota. Kur sheh modelin më të keq të shoqërisë që duhej të ishte në burg, por është në pushtet, atëherë gjithçka tjetër që prindërit na kanë mësuar për të studiuar me ngulm, për të garuar kudo me ndershmëri, për të jetuar me dinjitet, zhvlerësohet. Kur sheh njerëz pa shkollë, me CV të rëndomta, që pretendojnë të bëjnë ligjet e këtij shteti, indinjata shpërthen. Nga jugu në veri, nga qyteti në fshat, shqiptarët e dinë tashmë, se nëse nuk ke një mik në politikë, ose nëse nuk je pjesë e saj, nuk gjen dot punë, nuk blen dot banesë për t’u strehuar nuk merr dot leje ndërtimi, as tender, nuk shkollohesh etj, shkurt nuk arrin dot asgjë…

Nuk ka ndodhur më parë, që sapo qeveria të publikojë nisma e reforma, publiku menjëherë të reagojë e t’i ironizoje hapur. Nuk ka ndodhur, që pa mbaruar një konferencë për shtyp e një zyrtari të lartë që menaxhon taksat tona, publiku të shpërthejë në lumë kritikash dhe talljesh për paaftësinë e tij. Nuk ka ndodhur më parë, që për një lajm që jep policia për arrestim të një evazori taksash, të shpërthejë mënjeherë irritimi dhe krahasimet e rastit, psh: arrestohet një berber se nuk kishte kasë fiskale, dhe lihet i lirë një guvernator i akuzuar për zhdukjen e miliarda eurove; arrestohet një evazor i vogël me autobot uji dhe nga ana tjetër evazorët e medhenj (si Bankers Petroleum) sfidojnë hapur ligjin dhe madje kërcënojnë shtetin; arrestohet një person për vjedhje energjie dhe nga ana tjeter dhe kreu i Gjykatës së Apelit pastron miliona euro.

Tashmë s'ka nevojë as për media të paguara që të bëjnë propagandë apo të lustrojnë vendimet e politikës. Çdo gjë e analizon vetë publiku, gazetaria qytetare. Emisionet 'elitare' ku diskutohet politika, shpesh konsiderohen pa nivel për tematikën dhe pyetjet që ngrenë. Psh pyetja nëse duhen lejuar deputetet me të shkuar kriminale të jenë në parlament po apo jo? – as që duhet bërë në një emision televiziv që edukon publikun. Është ligji që e ndalon një gjë të tillë dhe as që duhet të hidhet për diskutim. Pyetjes, a i besoni raportit të OSBE, po apo jo, 99 % e komentuesve thonin po, sepse nuk ka asgjë për t’u habitur që politikanët tanë janë njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe shumë shqiptarë e kuptojnë se vrasjet e pazbuluara deri tani, jane urdhëruar nga politikanë. Ndërsa zotërinjtë analistë të ftuar i diskutojnë këto çështje në këndvështrimin e pagadhënësve të tyre, duket se populi e ka tejkakluar inteligjencën e tyre. Jo vetëm që nuk i beson, por madje i etiketon secilin prej analistëve se për kë punojnë e kë mbrojnë.

Absolutisht ka një reagim qytetar elitar, pasi reagohet për vendimet e reformat ekonomike që ndikojnë direkt te qytetari, e megjithatë nuk duket se ka alternativë shpetimi. Politikanët në krahun tjeter janë njësoj. Shqiptarët i provuan 8 vite, dhe mbi të gjitha, lideri aktual i opozitës është i akuzuar për disa çështje për të cilat kurrë nuk ka dhënë përgjigje. Po kështu dhe ish lideri. Besueshmëria te politikanët e krahut tjetër gjithashtu është e ulët.

E vetmja gjë që u mbetet qytetarëve në këto kushte, është të vazhdojnë të reagojnë, me shpresë se zëri i tyre do dëgjohet dhe disa gabime apo vendime të korrigjohen (ashtu siç ndodhi për armët kimike).  Edhe sikur të mbaheshin sot zgjedhje të reja, përsëri alternativat janë shumë të pakta për t'i besuar ndonjë force politike, të aftë për ta ndryshuar realitetin aktual dhe për të vendosur vërtet një qeverisje të sundimit të ligjit, e që të punojë për popullin. Jemi ende shumë larg asaj dite.

Comments