Serbinë e kemi mundur me kohë, por..

Qetësohuni Shqiptarë! Serbia është mundur prej nesh në 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Që nga ajo ditë jemi dy shtete shqiptare në Ballkan, së shpejti do jemi dy shtete me të drejta vote në organizmat ndërkombëtare, me anëtarësimin e Kosovës në to. Nuk është pak, edhe pse ende nuk e kemi kuptuar këtë forcë. Kjo do të thotë se në politikën globale sot për sot e kemi mundur Serbinë. Aleatët e fuqishëm, përfshi SHBA-të janë rreshtuar pro nesh, dhe jo pro tyre. Veç kësaj historia nuk harron. Ata janë një popull që kanë bërë krime, dhe kjo është e dokumentuar. Janë një popull që edhe sot shkaktojnë trazira, duke i vënë flakën stadiumeve me Ivanët e tyre të tmerrshëm. Ndërsa ne një popull që vlerësohemi lart për mikpritjen, tolerancën fetare dhe për dëshirën tonë të fortë pro-europiane. Vetë Papa vizitën e parë ne Europë e bëri në vendin tonë, ndërsa mediat prestigjoze në një farë mënyrë na promovojnë për turizëm, më shumë nga sa e meritojmë (në shumë pak artikuj promovohet Serbia).

Pavarësisht dhimbjes për ndeshjen e djeshme, askush nuk duhet të trishtohet, sepse sfidën me Serbinë nuk e kemi në sport. Serbët kanë qenë gjithnjë fitues në shumë ngjarje sportive, edhe në kohën kur ne nuk dukeshim askund. Shqetësimi më i madh për ne duhet të jetë përparimi i shpejtë i tyre në BE. Ata po fshijnë të kaluarën falë punës, projekteve, dhe kokë-uljes diplomatike para BE dhe po avancojnë duke na lënë pas. Fakti që në samitet e fundit të Ballkanit Perëndimor ata kanë paraqitur plane dhe projekte për të cilat marrin mbështetje financiare, duhet të na bëjë të dëshpërohemi. Ndërsa Serbët kthehen në shtepi me projekte të financuara, ne kthehemi të lumtur nga batutat tona, por pa asnje lek. Konkretisht në Samitin e fundit të Vjenës, Serbia mori mbështetje financiare për 13 projekte, ndërsa Shqipëria vetëm për 1 projekt në energji, (për linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë -14 milionë euro grant), nga gjithsej 24 projekte që BE-ja përzgjodhi në ate samit. (Kosova mori mbështjetje për 3 projekte e Bosnja për 5).

Fakti që ata kanë hapur negociatat me BE (që në janar 2014) dhe Shqipëria ende jo, duhet të na trishtojë. Tani është puna që na dallon dhe na vë në garë. Dhe për punë, ne shqiptarët nuk shquhemi shumë. Ne do të humbim ndeshjen e madhe me Serbinë, nëse ata hyjnë të parët në BE. Nëse Serbia pranohet para nesh, dy shtetet tona Shqipëri e Kosovë, apo qoftë dhe një shtet i vetëm (nëse bashkohemi) deri sa të ketë ardhur ajo ditë, nuk do mundemi të futemi kurrë, prej vetos së mundshme të tyre. Prandaj nuk duhet të ligështohemi për çështje loje, por t'i futemi punës dhe projekteve. Ka një arsye pse Serbia prodhon aq shumë projekte, sepse administrata publike atje është vazhdimësi, sepse çuditërisht fenomeni i ndërrimit të administratës pas ndryshimeve politike atje nuk ekziston, dhe projektet nuk i bën ministri apo politikanët e radhës, por specialistët e kualifikuar të administratës. Gjithsesi nëse e kuptojmë problemin tonë, jemi ende në kohë për të filluar e fituar këtë garë me Serbët, pasi asnjë vend i Ballkanit perëndimor nuk do pranohet në BE para 2020.

Sa për sportin, ka ndodhur mijëra herë që vende të vogla kanë rrahur të mëdhenjtë. SHBA sot janë shteti më i fuqishem i botës, por s’kanë fituar ndonjë kupë botërore në futboll. Vetëm ekonomia mund të na ngrejë kokë dhe të na bëjë lider në Ballkan. Nëse me Kosovën bëhemi njësh në ekonomi, tregti, shfrytëzojmë resurset e njeri-tjetrit, punojmë fort për projekte të mëdha, atëherë Serbinë e kemi mundur. E kaluara jonë e pastër do na shtojë pikë, ndërsa ata do i mbajë gjithnjë pas nesh....

E botuar edhe ne:
http://www.balkanweb.com/site/serbine-e-kemi-mundur-me-kohe-por/

Comments