Pak respekt, ju lutem!


Një njeri i mirë iku nga kjo botë. Një njeri fisnik.
Ishte i ri për të vdekur. Ishte herët, gjithsesi.
Edhe pse jemi të gjithë vdektarë, ngjarje të tilla i përjetojmë rëndë në familjet tona. Drama është më e madhe kur ikja është e papritur dhe jo nga shkaqe natyrale. Në rastet kur vdekja është aksidentale, janë shumë 'Pse' që qarkullojnë në atmosferën mbytëse të lotëve e vajtimeve të grave dhe pëshpërimave të burrave.
E teksa nuk mund të ndalim dot Dorën e Zotit, ndaj të gjithëve ne, ajo që mbetet të bëjmë, është të përpiqemi disi për të rregulluar pak botën e të gjallëve, veçanërisht pas rasteve të tilla.
Kush quhet njeri fisnik në ditët e sotshme? Mendoj se janë njerëzit tek të cilët mbizotëron dinjteti dhe kultura e përgjithshme, njerëz që sa herë i takon ke dëshirë të bisedosh për tema të ndryshme, njerëz që jetën dhe mirëqenien e vet e krijojnë me punë të ndershme dhe intelektuale, që pavarësisht posteve që mund të marrin në jetë, nuk abuzojnë kurrë. Njerëz që edhe nga humbjet dalin dinjitozë, njerëz që dinë të përshtaten dhe të rrojnë me nder, pavarësisht se si u vjen jeta dhe sa shpesh rrëzohen. Njerëz që dinë të ruajnë miqësinë dhe të jenë mirënjohës. Njerëz që respektojnë të tjerët, pavarësisht nga shtresa e tyre shoqërore. Njerëz që shqetësohen për gjithcka që nuk shkon mirë në vendin e tyre, njerëz që ende duan të kontribuojnë me idealizëm në profesionin e tyre dhe në të mirë të shoqërisë edhe pse askush nuk i thërret dhe nuk i vlerëson më. Njerëz që rrezatojnë mirësi pavarësisht nga bota e tyre e brendshme, që hallin e vet nuk ia plasin tjetrit në fytyrë, njerëz që krijojnë familje të mrekullueshme dhe edukojnë fëmijë të shkolluar dhe të kulturuar.
Njerëz të tillë janë të rrallë, dhe në këto kohë tranzicioni në Shqipëri, vlera e tyre është nëpërkëmbur, këto figura janë mënjanuar, por gjithsesi ata janë përshtatur kokëulur duke gëzuar vlerësimin e vetëm atyre njerëzve që i njohin mirë. Këta njerëz janë larg modeleve që ofron sot shoqëria jonë, ku modelet 'më të respektuara' janë në bazë paraje dhe pushteti.
E ndërsa sa janë gjallë, ata i rrinë larg publicitetit, kur vdesin nuk i pyet më askush. Nëse dikush që ikën nga kjo botë, ka qenë figurë e njohur, mediat nxitojnë të shkruajnë, të japin lajmin e parë, por se çfarë shkruajnë as ata vetë nuk e dinë. Fokusi vihet te titulli, vetëm ai është i rëndësishëm, pjesa tjetër s'ka rëndësi. Mjaft që njerëzit të klikojnë dhe të shkojnë njëherë aty, pavarësisht çfarë gjejnë brenda. Kjo është bërë modë, por ajo që të çudit është mosrespekti total për viktimën, për të afërmit. E shkruara për të vdekurin duhet të ketë një tjetër mënyrë, tjetër gjuhë, tjetër standard, e shoqëruar me një dozë keqardhje dhe solidariteti. Fundja është momenti i tij i fundit. Vetëm për kaq, meriton respekt. Është e tmerrshme të shohësh si njerëz të çfarëdoshëm shfryjë dufin e tyre politik, social, kulturor në komentet poshtë lajmeve për të vdekurit, pa e vrarë mendjen kush është ai person, çfarë ka bërë ai një jetë të tërë. Minimalisht këto media duhet t'i bëjnë komentet 'off' në shkrime të tilla. Thjesht ne të gjallët, që gjithashtu jemi vdektarë, mund të përpiqemi të jemi pak më të sjellshëm, pak më dinjitozë me ata që janë mes nesh, dhe me ata që ikin nga kjo botë. Është kaq e thjeshtë, pasi fundin tonë e dimë të gjithë.
*Artikulli i kushtohet të afërmit tim, Vladimir Hysi, që u nda nga jeta aksidentalisht, pak ditë më parë.

Comments