Gëzuar fëmijëve që s'kanë parë fëmijëri, por që detyrohen të punojnë që të vegjël. Të paktën do rriten si njerëz punëtorë dhe do bëjnë të lumtur fëmijët e tyre.
Gëzuar fëmijëve jetimë! Uroj që njerëzit që u rrinë pranë t’u falin sadopak mirësi për të zëvendësuar dashurinë e munguar të prindërve.
Gëzuar fëmijëve të varfër që s'kanë pasur kurrë lodra të bukura e kukulla. Por s’ka gjë, nuk keni humbur shumë, pasi s'ka më të bukura e më të shëndetshme se lojërat në natyrë.
Gëzuar fëmijëve që rrinë gjithë ditën me celularë në dorë! S'jeni ju fajtorë por prindërit tuaj egoistë, që s'kanë kohë e dëshirë të kalojnë kohë me ju. Ndoshta këtë do ta kuptoni dhe do ta rikuperoni tek fëmijët tuaj..
Gjithçka që kemi kaluar dhe kalojmë në fëmijëri na vlen në një mënyrë si mësim në jetë. Jeta ka treguar shumë raste kur njerëz me fëmijëri të vështirë janë bërë të suksesshëm dhe me emër në botë. Fëmijëria është një rrugë ku kalitemi të gjithë për t'u përgatitur për jetën. Pavarësisht se si rritemi, gjithkush e ka një shanc për t'u bërë dikush në këtë botë, për të patur familje dhe për të jetuar me dinjitet.
Mesazhi kryesor në këtë ditë duhet t'u drejtohet qeveritarëve të këtij vendi. Jemi shumë pak shtetas në këtë territor. Janë shumë pak fëmijë të cilët meritojnë një jetë më të mirë: një çerdhe, kopësht e shkollë me kushte të mira. Meritojnë mësues dinjitozë që t'i duan e të mos i rrahin, mësues që t'i mësojnë si të bëhen qytetarë të mirë, t’u mësojnë se çfarë është dashuria për njeri tjetrin, për prindërit, për tokën dhe mjedisin, e s’ka nevojë t’u mësojnë shkencë. Meritojnë mjedise për të luajtur, sa më shumë gjelbërim që të thithin ajër të pastër. Meritojnë kujdes më të mirë shëndetësor dhe ushqime të sigurta në treg. Meritojnë programe më të mira edukuese në ekranet e televizioneve publike. Meritojnë më shumë programe asistence ata që kanë nevojë, meritojnë një dorë të ngrohtë ata që s'kanë strehë e familje.
Këto i keni në dorë ju zyrtarë që mblidhni miliarda lekë nga taksat tona dhe shumë pak i hidhni për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Rrallë kemi dëgjuar në seancat tuaja parlamentare të flisni për fëmijët. Rrallë kemi parë iniciativa që lidhen me të ardhmen e fëmijëve. Sot të paktën ju mbylleni gojën e mos bëni urime. Keni në dorë të ardhmen e këtij vendi, por s'e shihni dot, se babëzia dhe injoranca ju kanë errur sytë... Keni bërë shumë pak, kur kishit në dorë për të bërë shumë.
ps. fotot nga arti mural rrugeve të Tiranës
Comments
Post a Comment