Ndërsa vjen sezoni turistik shqiptarët bëhen konfuzë se ku duhet të pushojnë. Pyetja që bën kushdo së fundi është: më bie më lirë të pushoj në Shqipëri,apo jashtë vendit. Se në fakt lajmet që vijnë nga Dhërmiu dhe disa zona Vip në Shqipëri, i trembin pushuesit shqiptarë duke menduar se gjithë jugu i Shqipërisë është shtrenjtuar. Dhoma të shtrenjta, shezlone mbi 10 euro, fatura restorantesh të kripura... Dhe të trembur nga lajme të tilla, shqiptarët e braktisin vendin e tyre për pushime. Nuk jam ndër ato që mendoj se meqë jemi patriotë, paratë t'i shpenzojmë këtu. Jo se njeriu duhet të eksplorojë eksperienca të reja. I shëtituri, i dituri- thotë populli. Por lajmet konfuze nga jugu sigurisht që janë penalizuese dhe jo të vërteta.
Në fakt vija bregdetare e Shqiperisë vlerësohet në shumë artikuj në mediat botërore pa ardhur vera. Lonely Planet e agjenci të tjera rekomanduan Shqipërinë si destinacioni i vitit 2018.
|
Hotel në Radhimë |
Shumë turistë prenotojnë Shqipërinë duke u nisur vetëm nga bukuritë e Shqipërisë në këto artikuj pa ardhur kurrë më parë. Duke parë reklamat, bizneset e turizmit në gjithë vendin rritin pritshmëritë e tyre. Përpiqen të bëjnë disa përmirësime në mjediset e tyre, pastaj rrisin çmimet dhe presin të marrin frytet. Nuk kanë faj, nëse mendon që gjithë muajt e tjerë të vitit, jane bosh pa klientë, dhe ndërkohë shtetit i paguajnë taksa pa ndërprerje. Mendimi i tyre deri tani ka qene: të mbledhim para ato dy muaj vere nga turizmi, dhe pastaj të jetojmë me to në dimër. Por jo të gjithë kanë fat. Një shëtitje në rivierën shqiptare ta zbulon situatën ku ata ndodhen.
Raporti çmim/shërbim
Rrugës pas Ujit të Ftohtë Vlorë, kudo të ndalosh në çdo minihotel, çmimet t'i thonë me euro, edhe pse ne jemi shqiptarë. Ata janë përgatitur për turistët e huaj dhe jo për ne. Çmimet variojnë nga 35 euro e lart. Në fakt për ne shqiptarët është e paapranueshme, pasi para pak vitesh çmimet ishin rreth 3 000 leke nata, ndërsa sot direkt jemi si turistët e huaj ku na duhet të paguajmë shifra të shtuara në euro.
Diku në portin e jahteve në Orikum pyeta një pronare, se çfarë ofronte me çmimin 50 euro të apartamenteve të saj. Ofronte po ato që ka ofruar gjithnjë: ujë, drita, çarçafë të pastër, shezlonë, parkim. Ushqim për mëngjes, jo. E pyetëm nëse kishte wi-fi, na tha se kjo është e tepërt, nëse do kishte wi-fi do e jepte 70 euro një natë. Pra këta pronarë, të pashëtitur jashtë sic duket, rrisin çmimet teorikisht, pa ofruar asgjë shtesë. Ajo për të cilën ankohen të gjithë turistët që akomodohen në jug është raporti çmim/ shërbim, një problem dhe këtë ende nuk po e kuptojnë ofruesit e shërbimeve turistike. Nuk është më luks, që dhoma të ketë peshqirë të mjaftueshëm, shampo e letra në tualet etj, njësoj sic ofrohen në vendet fqinje e më gjerë. Po kështu dhe një mëngjes modest, që kushton 300-500 lekë/ person, nuk do u kushtonte shumë këtyre minihoteleve përgjatë gjithë bregut. Këto plus dhe Wi-Fi duhet të jenë të përfshira te çmimi 50 apo 70 euro/nata që pretendojnë këto biznese.
Sivjet duket se gjithë hotelet dhe shtëpitë në vijën tonë bregdetare, kanë barazuar çmimet e akomodimit me vendet e rajonit. Në Ulqin apo Strugë, në vendet ku pushojnë shumë shqiptarë, çmimet ofrohen për shtretër, psh 10 euro një shtrat. Çmimet janë në varësi të afërsisë me detin apo liqenin. Në këto kushte një dhomë me 4 shtretër shkon 40 euro, po aq sa dhe në Shqipëri.
Jugu nuk është Dhërmiu, dhe Dhërmiu nuk është Shqipëria
|
Bar-restorant Radhime |
Gjithsesi Shqipëria nuk mund të konsiderohet e shtrenjtë për të pushuar, madje mbetet më e lira në Ballkan. Kjo për dy arsye: e para se ka shumë mundësi e variante të lira për të pushuar nga veriu në jug, dhe e dyta ushqimet mbeten shumë të lira, krahasuar me rajonin. Ata që duan të pushojnë në vende të shtrenjta mund të zgjedhin Dhërmiun, Jalën, Himarën, Sarandën, por variante të lira ofron vetë Vlora, Radhima, Borshi etj. Ndërkohë që Spilleja, gjithë zona e Durrësit Divjaka, më lart Shëngjini e Velipoja ofrojnë çmime shumë të arsyeshme. Pra Jugu nuk është Dhërmiu, dhe Dhërmiu nuk është Shqipëria.
Ushqimet këtu janë të lira krahasuar me vendet e rajonit. Mundësitë janë të shumta, për sa kohë që baret dhe restorantet janë me shumicë gjithandej. Por dhe mund të gatuash vetë ç'të duash. Nëse një picë në Shqipërisht kushton mesatarisht 4 euro, në Mal të Zi psh një cope e picës, (pra vetëm një porcion) kushtonte 2.5-3 euro. Po kështu një kafe që këtu varion mesatarisht nga 70 leke ne 100 leke, në Budva nuk gjeje kafe poshte 1.5 euro- 2 euro. E kështu me radhë frutat dhe produktet në supermarkete. Pra në total, nëse llogarit akomodim plus ushqim, pushimet shkojnë më lirë në Shqipëri se kudo tjetër.
A kënaqet turisti në Shqipëri?
Atëherë lind pyetja a kënaqet turisti këtu?
|
Budva, udhetim me nendetese |
Mendoj se këtu turizmi është ende në fazë foshnjërake, pasi turisti nuk do vetëm gjumë dhe det. Ajo çka kërkon turisti është të argëtohet pas plazhit, të eksplorojë e vizitojë muzeume e vende historike. Personalisht këto pushime i ndava në dy pjesë, një javë ne Mal të Zi dhe një javë në jugun e Shqipërisë. Në Budva shtepitë (jo hotelet) kushtonin 35-50 euro, (ishte fat, sepse varionin mes 40-50 euro në atë zonë), ndërsa në Radhime dhoma kushtote 40 mije lekë të vjetra. Në Mal të Zi, nuk dinim ku të shkonim më parë pasditeve: udhëtim në Stari Grad; në Shen Stefan, Petrovac, Cetinje, udhëtim me nëndestëse e anije të tjera në ishullin Hawai, sporte ujore pa fund, udhëtime me balonë etj. Ishte aq intensive pjesa e argëtimit, sa nuk të dilnin ditët, dhe qëndrimi na u duk shumë pak. Edhe pse kishim makinën tonë, transporti publik ishte shumë efikas për të gjithë që donin të bënin të njëjtat udhëtime, gjë qe te ne mungon.
|
Tragjas |
Ndërsa në Radhime, përveç disa shetitjeve nga ne që e njohim zonën, si në Vlorë për kafe, në Orikum e Orikun e lashtë, në fshatin Tragjas, apo një ngjitje në Llogara, për turistët e huaj nuk kishte asnjë variacion. Kjo sepse nuk ka as transport publik në këto vende, dhe ata nuk mund të nisen askund pa harta apo pa guida. Kështu turistët e huaj në këtë zonë, vetëm bënin plazh, hanin, flinin dhe riktheheshin në plazh për të parë perëndimin e diellit. Dhe ditët mezi shtyhen. Shpenzimet totale në Budva ishin sa dyfishi i shpenzimeve në Radhimë, për të njëjtën periudhe qendrimi, por argëtimi dhe momentet e bukura ishin shumëfish andej. Nëse do kishte sporte ujore dhe plot aktivitete të tjera edhe në zonën e Vlorës, dhe aty do linim paratë tona për t'u argëtuar.
|
Kotor |
Mendoj se Shqipëria po humbet pa vjelë miliona lekë për shkak se nuk ofron këtë pjesën e argëtimit të turistit në kohën e lirë. Kështu që kur një hotelier në jug ofron çmim 70 euro për një hotel në mes të askundit, pa asnjë aktivitet, duhet ta mendojë mirë dhe këtë mangësi, pasi turisti do mërzitet dhe nuk i kthehet më aty.
Fundja turistët mund të flenë dhe në çadra në verë. Ajo që ata kërkojnë është të argëtohen dhe të ruajnë memorie të jashtëzakonshme nga Shqipëria. Vetëm kështu mund të kthehen prapë. Pasi pushimet janë pushime, dhe s'ka rëndësi ku fjete, çfarë hëngre por çfarë kujtimesh e adrenaline përjetove.. Këtu jemi shumë shumë larg, për fat të keq...
Ajo që duhet të ndryshojë është një kulturë e re në ofrimin e turizmit. Turisti nuk duhet të trajtohet si një mundësi për ta vjelë, por për ta kënaqur. Nëse ai kënaqet, nuk i kursen paratë, por do të ta kthejë dhjetëfish, qoftë dhe duke të sjellë miq të tij vitin tjetër.
Comments
Post a Comment