Kur vdekja të vjen nga shtëpia jote..

Natë. Heshtje. Gjumë i thellë. Ai i botës së ëndrrave. Gjithkush fle si i mekur. Nuk pipëtin asgjë. Ora 3.54 am. Shtrati nis të tundet e shkundet fort. Direkt fort, jo me faza. Sendet fillojnë të bien. Me sy mbyllur, të gjithë në këmbë. Të lemeritur. Natë. Ndiz dritën. Shtëpia tundet. Ikin dritat. Thirrje: Tërmet! Tërmet! Pastaj emrat e njeri-tjetrit. Rrotullohu kot. Ulërima: Rri te dera! Te tavolina! Sytë nga ambazhuri, duke pritur të ndalet. O Zot! O Zot! Zemra rreh. 30 sekonda tundje dhe lemeri. Tmerri i papërshkruar. Pastaj ankthi për të jetuar. Me vrap shkallët, dikush zbathur, dikush me një këpucë e një shapkë, duke shtyrë njëri-tjetrin. Jeta është e shtrenjtë. Kush të rendë i pari, drejt daljes. Gjunjët dridhen. Vetëm zhurmë hapash, pa fjalë. Fëmijët para, të rriturit pas. Instiktivisht vetëm kur del jashtë, kur ke shpëtuar kokën, sheh tjetrin. A jemi të gjithë? Dolën të gjithë? Sytë lart nga pallati, nga shtëpia. Mbaroi? Ca do bëjmë? Ku do shkojmë? Të ikim? Ku? Njerëzit vazhdojnë dalin. Fytyra të trembura. Fqinjët mezi i njeh. Të gjithë me rroba gjumi. O Zot, çfarë po ndodh. Mbaroi?

Këto janë momentet e njerëzve fatlumë pas një tërmeti. Fatlum është gjithkush që del gjallë nga ndërtesa. Por jo të gjithë e kanë këtë fat.

Tërmeti nuk vret. Por ndërtesa, shtëpia jote të vret. Të shëmbet mbi kokë. E habitshme se si mund të vijë vdekja nga shtëpia jote. E paimagjinueshme. Ti punon, sakrifikon, e blen me gjak e djersë, e arredon, vendos çdo ditë nga një gjë të bukur, kënaqesh me pamjen e saj, e shijon, e pastron, të mrekullon. Streha jote nga çdo hall i botës jashtë. Vendi ku ti je vetvetja, ku shtriqesh me tuta sa gjatë e gjerë. Vendi ku ha, fle, e bën ç'të duash, thërret, këndon, shan. Vendi ku ndihesh i mbrojtur nga shiu, i ftohti, nga çdo vrasës i mundshëm. Vendi ku mendon se ndihesh njeriu më i mbrojtur në botë. Dhe krejt papritur, shtëpia të kthehet kundër. Krejt papritur bëhet vendi më i pasigurt. Bëhet vdekja jote. Të bie sipër. Të merr frymën. Të sakaton. Të bllokon. Nuk të lë të dalësh. Nuk të lë të shohësh më dritën e diellit. Të ndan nga familja. Të merr familjen. Të varros të gjallë.

Ky ishte fundi për 50 jetë. 50 jetë të humbura nga tërmeti vdekjeprurës i natës së 26 nëntorit në Shqipëri. Ata që nuk ia dolën dot.

Vajtime, lot, kaos. Pluhur. Shok.

Kush e ka fajin? Fillimisht sytë kthehen nga Zoti. Pse o Zot? Pse mua? Pse familjen time? Pse shtëpinë time? Pse qytetin tim? Pse vendin tim?

Pastaj pse-të shtohen e zgjerohen. Pse, pa fund? Përgjigje s'ka. Tërmetet nuk parashikohen, nuk parandalohen. Shqiptarët ndoshta tani e mësuan. Mësuan se ndodhin qindra tërmete në ditë në gjithë botën. Mësuan se pas një tërmeti të fortë, ka qindra post goditje. U mësuan dhe me post- goditjet. Dinë të përcaktojnë dhe sa shkallë Rihter është një goditje e radhës.

Por mësuam dhe një gjë shumë të rëndësishme. Edhe pse një tërmet nuk parandalohet, tragjedia mund të minimizohet. Kjo do të thotë parapërgatitje, studime, thellime, ndërtime të forta, me standarde, plane urbanistike. Shkurt, shtetbërje. Tashmë fajtori po qartësohet pak nga pak. Gabimi është njerëzor. Pse? Sepse, një pallat ra, tjetri jo. Mësuam se pallatet buzë detit nuk bëhen dhjetë kate. Pallatet nuk bëhen mbi rërë. Pallatet nuk bëhen në det.

Po kush e lejoi? Kush? E dinin këtë ata që bëjnë pallate? Ata që japin leje për pallate? Dhe fajtori qartësohet dhe më shumë. Shtetbërja.

Natyra ka ligjet e veta, vepron kudo njësoj. Diku përmbytje, diku vullkan, diku cunam, diku tajfun, uragan. Askush nuk është imun, por mund të jetë më i mbrojtur. Natyra studiohet, fenomenet gjithashtu. Shkenca i ka të gjitha mundësitë sot. Bota investon prej shekujsh në këto studime. Nuk ka luftë me natyrën. Ka mbrojtje, studim, parapërgatitje për disa breza në avancë. Ka ndërtime me standarde, larg zonave sizmike, larg brigjeve, larg lumenjve, aty ku toka është e sigurt, me materiale të sigurta, të studiuara, me standardet e duhura...

Mësuam se na duhet një revolucion gjigand. Në Shqipëri, tërmeti bëri që të fillojë të flitet për atë që bota ka dekada e shekuj që punon. Një Zot e di sa vite e dekada do na duhet të veprojmë me ligje e standarde për t'u mbrojtur nga fenomenet e natyrës. Një Zot e di! Tërmeti na mësoi shumë. Sot për sot jemi vetëm këtu. Në pikën zero, në fillim. Shumë rrugë e gjatë, shumë punë. Ky tërmet ishte mjaft për të mësuar. Mos paçim të tjerë, sa të mësojmë si të mbrohemi. Sa të nisim të bëjmë shtet e të vendosim të zbatojmë ca rregulla. E ndërkohë, Zoti pastë mëshirë për ne! 

Comments