Tirana/LSA |
Kishte ardhur koha, që njerëzimi të ndalej. Gjithë ai vrull,
gjithë ato padrejtësi, gjithë ajo garë e habitshme pabarazie, luks i shfrenuar për një pjesë të botës, dhe uri e mjerim, luftë e viktima për pjesën tjetër.
Shqipëria ime kishte nevojë gjithashtu për këtë stop, për këtë ndalim dhe reflektim human dhe qeverisës. Në fakt dukej sikur koha kishte ndalur më parë në Shqipëri, por vetëm
për të varfrit, shpresat e të cilëve po shuheshin dalëngadalë se një ditë Shqipëria do bëhej një ditë një vend i mirë për të jetuar.
Para shpërthimit të Covid19, Shqipëria thuajse po prekte fundin: ekonomia në rënie, shpopullim masiv, arrogancë qeveritare, gjithçka në dorë të pushteti një-partiak, një shoqëri jo demokratike, pa institucione të pavarura, një shoqëri e polarizuar dhe militante, që mban dhe qarkullon të njëjtat elita në pushtet, pa meritokraci duke lënë jashtë loje mendje të zgjuara e të arsimuara që mund të kontribonin për zhvillim më të shpejtë.
Thuajse gjithë liderët që janë ricikluar deri tani kanë rezultuar të korruptuar. Në kushtet ku ndodhej Shqipëria në erën para Covid19, mundësitë ishin shumë të pakta për të
sjellë ndryshim, per të krijuar një shtet të së drejtës, një shtet për qytetarët.
Tirana/ Aldo Bonata |
Por ndonjëherë krizat ndodhin për
mirë. Kështu dua ta shoh këtë pandemi që ka prekur gjithë botën, përfshi Shqipërinë. E shoh si një mundësi
për të trokitur fort në kokat e nxehta të politikës, se nuk ka gjë më të çmuar se shëndeti i njerëzve.
Duhej të vinte kjo ditë, që edhe shtetet më të fuqishme të botës, të dështonin në përgatitjet e tyre dhe kapacitetet shëndetësore. Vjen një moment, kur as paratë nuk të zgjidhin dot punë, nëse nuk je përgatitur kohë më parë me shkencë, vizion afatgjatë, strategji, kapacitete e rezerva për kohëra të vështira.
Duhej të vinte kjo ditë, që edhe shtetet më të fuqishme të botës, të dështonin në përgatitjet e tyre dhe kapacitetet shëndetësore. Vjen një moment, kur as paratë nuk të zgjidhin dot punë, nëse nuk je përgatitur kohë më parë me shkencë, vizion afatgjatë, strategji, kapacitete e rezerva për kohëra të vështira.
Pak para
COVID19, në muajin janar, kisha të shtruar një familjarin tim, dhe munda të shihja gjendjen e spitaleve tona, pikërisht të spitalit të
fëmijëve. Ndoshta në këto 30 vjet është lyer disa herë vetëm fasada, se mjetet, pajisjet
mjekësore, janë thuajse në gjendjen e 30 viteve më parë. Një spital ku nuk
dinë dhe nuk kanë mjetet e duhura për të bërë një serum, ku fëmija shpohet e
masakrohet 10 herë sa t'i gjendet një damar, ku për çdo gje mjeket e infermieret
te thonë: shko blije te farmacia përballë. Spitali i fëmijëve në Tiranë, ka
mbetur me ato kapacitete si në kohën e diktaturës, dhe kjo tregon më së miri në çfare gjendje na gjeti kjo luftë.
Kjo luftë gjithsesi kishte dy
anë: Kapacitetet shëndetësore, dhe menaxhimin e qytetarëve për t'u izoluar. Duke
qenë se vijmë nga një vend diktatorial, këtë të dytën e menaxhuam mirë, ndoshta
më mirë se shumë vende të tjera në botë. Kryeministri aktual, duke patur dhe një
hije të rëndë, ia doli që shumë shpejt të merrte vendime që do ia kishin zili
shumë vende të tjera. Shpejtësia e mbylljes së shkollave, bareve dhe
restoranteve dhe shumë bizneseve solli atë që kemi sot, pak njerëz të
infektuar. Ndoshta për këtë gjë, kryeministri Rama do vlerësohet, kur e gjithë
kjo të mbarojë, sigurisht nëse përfundimi nuk është i dhimbshëm. Për t'u habitur ishte edhe angazhimi i qytetarëve, që ishte në nivele maksimale, ku të gjithë u bindën rregullave të reja, përfshi
dhe rebelët e partive opozitare. Në fakt shpejtësia e marrjes së vendimeve të kryeministrit tonë, kishte dhe një arsye tjetër, pasi shpëtoi fytyrën e shtetit
për mjekësinë e rrënuar që kemi. Duke u izoluar në kohë rekord, iu dha mundësi mjekësisë tonë të paktën të sigurojë kapacitetet bazë për të përballuar këtë pandemi.
Një tjetër sfidë do vijë për
kryeministrin për të menaxhuar ekonominë, e cila mund të dëmtohet shumë nga pandemia. Ai e pranon që ka lindur për gjëra të mëdha, pasi siç thotë në
kohë krizash apo lufte, ai nxjerr anën e tij më të mirë. I votuar dy mandate
rresht, kryeministri Rama ka një shans për të qeverisur ndryshe pas kësaj
lufte. Tani i duhet të mendojë politika më sociale, nevoja për të cilat doli në dritë gjatë kësaj
krize: vëmendje për të moshuarit, për të varfrit, për njerëzit në nevojë,
rregullimi dhe rritja e kapaciteteve spitalore dhe e ndihmës shtetërore për
gjithë të pamundurit që shkojnë në këto spitale, por edhe politika arsimore që
gjithashtu dolën në pah nga kjo krizë. Sot shumë nxënës nuk kanë akses në
arsimin online, pasi nuk kanë as internet, dhe as telefon, duke 'hedhur ne erë'
në një farë mënyrë dhe mësimin online. Shumë politika arsimore do duhen të
merren në të ardhmen. Shkurt kjo krizë nxorri tre kategori për të cilat duhet të
investohet: shëndetësia, arsimi dhe shtresat në nevojë që duhet të asistohen
nga shteti. Për bizneset se sa do shkojë fatura kjo do duket më vonë në mbarim
të pandemisë.
Një shprehje e bukur e huazuar
nga Winston Churchill, (pas L.II Boterore) thotë: Mos e lër krizën të shkojë dëm! (Don't let the
crisis go to waste!) - çka do të thotë që një krizë apo një luftë, është një
mundësi për ta nisur nga e para, edhe kur ke bërë gabime. Këtë e kuptojnë liderët
e zotë. Uroj që kryeministri ynë të mos e lëjë këtë krizë të shkojë dëm. Fundja
startin e ka njësoj si gjithë liderët botërore, ku askush nuk ishte stërvitur për
një luftë të tillë.
Deri atëherë të shpresojmë që
Shqipëria të mos fundoset, por të dalë më e fortë, dhe ndoshta me një fillim të
mirë ekonomik e social. Mund të përgatisim politika që jo vetëm të frenojmë emigrimin, por të thithim ndoshta dhe trurin shqiptar që është larguar prej vitesh nëpër botë. Pak ditë më parë Shqipëria tregoi një vlerë të jashtëzakonshme duke i dhënë një leksion diplomacisë botërore. Shqipëria e vogël dërgoi 30 mjekë e infermierë për të ndihmuar Italinë në luftën kundër Covid19, ndërkohë shumë vende të fuqishme e braktisën këtë vend, më të goditurin nga pandemia. Ish kryeministri Berluskoni në një thenie të fundit i quajti shqiptarët një 'popull me civilizim
antik'. Urojmë që bota të na njohë shumë vlera historike dhe humane nëse do dimë ta ringremë dhe fuqizojmë vendin tonë. Thonë se kur je në fund, s'ke ku të shkosh më tej, veçse të ringrihesh. Uroj që kjo të ndodhë për vendin tim.
Comments
Post a Comment