A janë vetëm makinat që e ndotin ajrin në Tiranë?

Një vendim i Bashkisë Tiranë për të ndaluar përdorimin e makinave në fundjavë është për t'u përshëndetur. Këtë qëndrim mbajti dhe kreu i shtetit, z. Rama pak ditë më parë, kur një ditë në qytet dolën vetëm nënat e fëmijët në rrugët e Tiranës. Eshtë për t'u përshëndetur që po flitet për herë të parë për disa masa mjedisore.   


Duhet të mësohemi me kufizmin e makinave (edhe pse une personalisht makinën e përdor vetëm në fundjavë, duke e kursyer mjedisin 5 ditë të javës). Por gjithsesi, çdo vendim për të ndaluar përdorimin e makinave dhe zevendësimin e tyre me biçikleta ose transportin publik (i cili duhet të transformohet plotësisht e të jetë eco-friendly, si autobusat elektrike etj), -  janë vendime plotësisht të drejta. Transporti miqësor me mjedisin, është një nga kriteret e turizmit të qëndrueshëm, dhe përdorimi i mënyrave ekologjike në transport është plotësisht i këshillueshëm.

Por a e ndotin mjedisin vetëm makinat?
Këto do ditë kam lexuar dy këndveshtrime të ndryshme, ose më saktë dy studime të ndryshme për ndotjen në Tiranë. Nje studim i projektit Green Lungs, nga Co-Plan, financuar nga BE, qe tregon se ajri ne Tirane është pastruar ndjeshem (nga grimcat PM2.5 dhe PM10), ku matjet janë bërë kryesisht te zona e 21 dhjetorit. Studimi ketu
Dhe kjo përkon me gjithë perceptimin publik se ajri në Tiranë është pastruar gjatë pandemisë. 

Ndërkohë një tjetër studim, bazuar në matje, nga ambjentalisti shqiptar Lavdosh Feruni, thotë se nga një vrojtim i 117 matjeve prej 14 Marsit deri në 22 Prill të këtij viti pandemik në 4 pikat përfaqësuese të Tiranës PM 2.5 rezulton të jetë 2 herë më e lartë se norma e përcaktuar nga OBSH, fenomen ky paradoksal, pasi ndotja më e madhe rezulton në darkë, kur qarkullimi i mjeteve shkon në zero. Grimcat PM2.5 janë shkaktarë kryesorë për kancerin. Studimi këtu:

Atëherë çfarë tjetër e ndot ajrin veç makinave? Sipas Ferunit, mund të jenë fabrikat e çimentos, përpunimi i pakontrolluar i plehrave të Sharrës etj.

Nëse sinqerisht duam ajër të pastër a mund të llogaritim ndonjë vendim tjetër të duhur nga autoritetet përvec ndalimit të makinave dhe mbjelljes së pemëve? A duhet që të merret seriozisht mosndotja e mjedisit nga autoritetet, pasi nuk e ndotin vetëm qytetarët, por shumë biznese, të cilat në radhë të parë duhen identifikuar, dhe detyruar të gjejnë mënyra të energjisë së rinovueshme, eco-friendly për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Dhe për ta mund të aplikohen gjoba, qofshin këto fabrika çimento, kompani ndërtimi, fasoneri etj.

Duhen identifikuar jo vetëm ato që ndotin ajrin, por dhe nëntokën. Mendoj se ndotësit e mëdhenj jo vetëm duhet të bëhen publikë, por qytetarët duhet të dinë gjithcka rreth gjithë faktorëve që ndotin mjedisin në cdo destinacion, që dhe ata të nxiten të bëjnë pjesën e tyre, për të bërë sa më pak plehra, për t'i ndarë ato në burim, për të mos prerë pyjet e dëmtuar shtratin e lumenjve, për të kursyer energjinë, ujin etj.

Nëse autoritetet e kanë seriozisht të merren me ndotjen dhe mjedisin, atëherë ka shumë për të bërë. Rëndësi ka që tashmë po flitet dhe po kuptohet rëndësia e mjedisit. Kjo është për t'u duartokitur.
Këtë nevojë e përforcoi situata e pandemisë së Covid19. Gjithë studimet botërore treguan qartë se ky virus përhapet më shpejt në vendet e ndotura dhe shkakton më shumë viktima. Nëse në të ardhmen nuk duam të vritemi nga viruse të tilla, të padukshme, por të favorizuara nga ndotja, duhet të bëjmë atë që kemi në dorë: Të minimizojmë seriozisht nga kreu i shoqërisë deri te qytetari më i zakonshëm, ndotjen e mjedisit. Autoritetet, me vendime e fushata gjithëpërfshirëse, ndërsa ne qytetarët me ndërgjegjësim. Kjo nuk është detyrë vetëm e njërës palë. Dhe rregullat e kriteret janë të vendosura botërisht. Na duhet vetëm t'i adoptojmë e t'i zbatojmë. Uroj në të ardhmen, të paktën në Tiranën ku jeton pjesa më e madhe e shqiptarëve, të shohim vendime të tjera të kreut të Bashkisë, për kompanitë që ndotin mjedisin, të artikulohen e publikohen objektiva të qarta në dhjetëvjecarin që po vjen, me sa do të reduktohet çdo vit ndotja në qytetin tonë, ashtu siç bën çdo qytet që e trajton seriozisht këtë çështje. Shpresoj shumë që pandemia aktuale të shënojë fillimin e kësaj ere. 

Comments