Diplomacia part-time dhe kauzat e mëdha të shqiptarëve

"Si janë shqiptarët? Njashtu siç i do hasmi". 

Kështu do shprehej gati 100 vite më parë Gjergj Fishta, një shprehje që vlen aktualisht me situatën ku ndodhen dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova. Të përçara në politikën e brendshme, të dobët në politikën e jashtme. Të pazhvilluara ekonomikisht dhe larg dyerve të BE-së. Fiks në gjendjen që i do hasmi. 


E ndërsa shqiptarët zihen çdo ditë me njëri tjetrin, a thua i përkasin kombësive të ndryshme, humbin kohë pa fund me kurthe e kulisa ndaj çdo zëri opozitar në shtetin e tyre, nga ana tjetër armiku gjallon, përparon, gllabëron dhe minon çdo interes shqiptar

Amerika dhe Europa i bënë Kosovës dhe Shqipërisë një dhuratë të madhe në 2008, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës.  I vetmi komb që ka dy shtete të pavarura në një rajon konfliktual e shumë armiqësor. Por a e shfrytëzuan shqiptarët këtë shanc? A e shfrytëzuan si mundësi për t'u bërë bashkë në politikën e jashtme dhe për të forcuar shtetet e tyre të brendshme ekonomikisht dhe kulturalisht? Përgjigja e dukshme është jo. 

Sot Shqipëria, drejtohet nga një lider i etur pangopshmërisht për pushtet, që ka zhbërë në maksimum institucionet e pavarura, që ironizon opozitën dhe mediat, konfliktohet me presidentin për punë emërimesh, që shtyp me forcë çdo protestë qytetare, që qeveris në mënyrë absurde me dorë të hekurt në një vend që nuk prodhon asgjë, ku e vetmja dëshirë e banorëve të këtij vendi është të ikin nga sytë këmbët, të emigrojnë.  

Nuk i mjaftoi gjithë konfliktualiteti që ka krijuar brenda vendit ndaj çdo zëri kundërshtar, por duke mos patur besim te askush që di diçka më shumë, ai rrëmbeu edhe postin e kryediplomatit të vendit, duke larguar një ministër me eksperiencë dhe duke futur një djalosh si mëkëmbës të tij. Vetë-emërohet si kryediplomat part-time në kohët më të errëta të diplomacisë botërore, kur betejat gjeopolitike janë ndezur në kulmin e tyre, dhe në mes tyre, mund të bëhet kurban një çështje e ndjeshme si ajo e Kosovës. Të zbehësh rolin e diplomacisë, në një kohë kur diplomatët serbë e rusë, janë me spaleta e me shumë gjuhë të huaja, dhe prej kohësh e kanë kthyer në plan të parë zhbërjen e pavarësisë së Kosovës, është një naivitet absolut.

Jo vetëm kaq, por bashkë me presidentin e Kosovës, z.Thaci, vendosën të ndërmerrnin veprime historike për kombin, pa pyetur e pa u konsultuar me popullin që i ka zgjedhur, me parlamentet respektive, pa u ulur ta shqyrtojnë me diplomatët e tyre të vjetër e me eksperiencë. Një arrogancë dhe injorancë, duke besuar verbërisht se me mbështetjen e SHBA, s'ka Rusi e Serbi që i thyen. Dhe ja ku janë sot, dështakë në prag të një konspiracioni, që as nuk e zbërthejnë e as e kuptojnë dot, ku mijëra fije të lëvizura nga qarqet sllave po zhbëjnë jo vetëm luftën e drejtë e çlirimtare të UÇK, - duke i quajtur liderët e saj terroristë, - por qëllimi i madh është zhbërja e pavarësisë së Kosovës, zhdukja e faktorit shqiptar në Ballkan. 

Në Kosovë po këto qarqe kanë ndikuar duke përdorur edhe politikanët naivë vendas për të kthyer përmbys një qeveri të ligjshme si ajo Albin Kurtit, pa bërë dot 2 muaj në detyrë. E duke shkatërruar çdo gjë në politikat e brendshme, - që unë besoj fort se nxiten nga qarqe armiqësore, që shfrytëzojnë pangopshmërinë për pushtet dhe korrupsionin e qeverisjeve shqiptare,- sot kemi përfunduar me shtete respektive të dobëta, dhe politikë të jashtme thuajse zero. Jo vetëm Kosova që ishte një betejë kaq e freskët dhe e njohur për botën, por edhe çështje si ajo e Çamërisë, apo e ligjit të luftës me Greqinë, ulërasin për një zgjidhje, e cila nga diplomacia jonë nuk vjen kurrë.

Kam punuar 4 vite në diplomacinë shqiptare dhe ajo që kam vënë re, është se diplomacia jonë është konsideruar gjithnjë si një oaz për përfitime personale, dhe shumë pak për të mbrojtur të drejtat dhe çështjet shqiptare në botë. Nga ana tjetër, diplomatët serbë i gjeje kudo. Ata kishin shtrirë tentakulat e tyre në Këshillin e Europës dhe shumë institucione ku diskutoheshin çështje të të drejtave të njeriut dhe politikave në Ballkan. 

Si pasojë e diplomacisë tonë naive dhe part-time, jo vetëm që nuk kemi fituar asgjë, por tashmë po humbim dita ditës, ato që kishim fituar nga miqtë tanë.

Ndoshta për një gjë mendoj se vlejti gjithë kjo situatë e trazuar e ditëve të fundit, ku një takim Thaçi-Vuçiç i thirrur nga administrata Trump, dështoi pas thirrjes së Thaçit në Hagë, i akuzuar për krime lufte. Mendoj se vlejti për të mësuar diçka të rëndësishme- se për çështje të mëdha, liderët e zgjedhur janë thjesht individë të gabueshëm dhe ndonjë ditë mund të përfundojnë para drejtësisë, në mos në Hagë, në drejtësinë e vendit të tyre, ndaj nuk mund të marrin përsipër të negociojnë individualisht çështje madhore të kombit, pa i diskutuar pa i komunikuar me qeveritë e parlamentet e tyre dhe pa një axhendë të qartë diplomatikeNë këtë këndvështrim, Thaçi mori 'dënimin' e merituar. Sepse ishte i vetmi qe donte të vinte në tavolinë interesat e nje shteti të tërë, pa pyetur askend. Po kështu dhe Rama, mbështetës i tij në këtë sipërmarrje gati private, mori një shuplakë për naivitetin e diplomacisë së tij part-time, pa ministër fuqiplotë, e pa diplomatë ekselentë pranë vetes. Aq më tepër, kur Shqipërisë si shtet 100 vjeçar i takon të kujdeset për shtetin e ri të Kosovës.

Shpresoj që kjo krizë të përkthehet në një ndryshim total të mëndesisë për diplomacinë dhe të shndërrohet në përgatitje, shumë përgatitje diplomatike për të mbrojtur fort të drejtat e shqiptareve dhe për të përparuar drejt BE. Shpresoj që këto qeveri të rikthehen të forca e brendshme për të fuqizuar ekonomikisht shtetet e tyre, pa u varur nga devijimet e gjeopolitikës botërore. Nëse do varemi tërë jetën nga SHBA që mund të ndryshojë plotësisht politikat e saj papritur, apo nga BE-ja burokratike, do përfundojmë të zhbërë e të shfarosur, 'ashtu siç na do armiku'. Është koha për të bashkuar forcat në politikën e jashtme, dhe për të fuqizuar ekonomikisht shtetet tona. Koha ndoshta për zgjedhje të reja e politikanë të rinj e të mençur, që ta kuptojnë kështu rolin e tyre të qeverisjes së dy shteteve shqiptare në Ballkan: Bashkë, dhe të zhvilluar. 

Comments